Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar tërheqjen nga tregu të produktit “EnerBiO Dinkel Waffeln Natur”, i cili tregtohej në rrjetin e supermarketeve Rossmann & Lala.
Sipas njoftimit zyrtar, masa është ndërmarrë pas kërkesës së kompanisë gjermane Dirk Rossmann GmbH, për shkak të dyshimeve mbi praninë e mykotoksinave mbi nivelet e lejuara.
Autoritetet bëjnë me dije se produkti është tërhequr nga të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri, pa marrë parasysh lotin apo datën e skadencës, si masë parandaluese për mbrojtjen e konsumatorëve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u ka bërë thirrje qytetarëve që e kanë blerë këtë produkt të shmangin konsumimin e tij deri në përfundimin e verifikimeve laboratorike dhe procedurave të kontrollit.


