Chelsea ka zyrtarizuar këtë të shtunë emërimin e Xabi Alonsos si trajnerin e ri të skuadrës, me spanjollin që do të marrë drejtimin e “Bluve” duke nisur nga 1 korriku.
44-vjeçari ka firmosur një kontratë katërvjeçare me klubin londinez, duke rikthyer veten në pankinë pas largimit nga Real Madridi.
Në deklaratën e tij të parë për faqen zyrtare të klubit, Alonso u shpreh krenar për aventurën e re në Premier League.
“Chelsea është një nga klubet më të mëdha në futbollin botëror dhe jam shumë krenar që bëhem trajneri i këtij klubi të madh. Nga bisedat me drejtuesit dhe pronarët kuptova se ndajmë të njëjtën ambicie. Duam të ndërtojmë një skuadër që të luftojë vazhdimisht për trofe”, deklaroi ai.
Spanjolli theksoi gjithashtu se skuadra ka shumë talent dhe potencial, ndërsa shtoi se fokusi i tij do të jetë krijimi i kulturës së duhur fituese.
Para eksperiencës te Real Madridi, Alonso drejtoi Bayer Leverkusen drejt një sezoni historik në 2023-24, duke fituar Bundesligën pa pësuar asnjë humbje, si dhe Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë.
Si futbollist, ai ka fituar 17 trofe me Liverpoolin, Real Madridin, Bayern Munich dhe kombëtaren e Spanjës, përfshirë edhe Kupën e Botës në vitin 2010.


