Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit “Karli i Madh”, që u zhvillua në qytetin Aachen të Gjermanisë, ku u nderua ish-kryeministri italian dhe ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.
Në një prononcim për Deutsche Welle, Rama e cilësoi pjesëmarrjen në këtë ceremoni si një privilegj të veçantë, ndërsa vlerësoi figurën e Draghi-t si simbol të kurajos evropiane në momentet më të vështira të vendimmarrjes.
“Ishte një privilegj i madh të isha këtu mes miqve të nderit në këtë moment emocionues për një njeri që identifikohet me Evropën dhe me kurajon për të marrë vendime, edhe kur mosveprimi është rruga më e lehtë”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe te mesazhet e përcjella në fjalimin e Draghi-t, duke theksuar se ai përbën një vizion të qartë për sfidat dhe mundësitë që ka përpara Evropa.
Çmimi “Karli i Madh”, i njohur ndërkombëtarisht si Charlemagne Prize, konsiderohet një nga nderimet më prestigjioze evropiane dhe jepet që prej vitit 1950 për personalitete apo institucione që kanë kontribuar në bashkimin dhe zhvillimin e Evropës.
Këtë vit, vlerësimi iu akordua Mario Draghi-t për rolin e tij në ruajtjen e stabilitetit të unionit monetar evropian dhe kontributin në forcimin e projektit evropian.


