Bashkia e Tiranës ka njoftuar se do të zgjerojë pikat e shpërndarjes së aboneve falas për pensionistët, me synimin për të ulur radhët dhe për të përmirësuar shërbimin.
Lajmi u bë i ditur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak nga kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, e cila tha se tashmë janë shtuar si ditët e shpërndarjes, ashtu edhe numri i pikave ku ofrohet shërbimi. Sipas saj, sportelet aktuale funksionojnë deri në 16 orë në ditë, por kërkesa e lartë ka sjellë ngarkesa dhe radhë.
Ristani theksoi se problemi nuk mund të zgjidhet duke përdorur libreza pensioni për këtë proces, pasi aboneja kërkon dokumentacion të veçantë. Ajo shtoi se masat aktuale synojnë vetëm lehtësimin e situatës deri në një zgjidhje më afatgjatë.
Sipas saj, Bashkia e Tiranës po punon për krijimin e një sistemi të ri digjital, i cili do të modernizojë procesin e shpërndarjes dhe do të shmangë radhët në të ardhmen. Ky sistem, sipas planit, do të jetë më efikas dhe më i përshtatur me nevojat aktuale të qytetarëve.
“Bashkia e Tiranës po drafton termat e referencës për një sistem të ri, që do të adresojë këtë gjë në një mënyrë më koherente dhe më digjitale, dhe të shmangim radhët për kohën në vijim. Fatkeqësisht tani jemi të lidhur me një mënyrë të bërit të sistemit dhe po mundohemi ta optimizojmë me shtimin e pikave për shpërndarje”, theksoi Anuela Ristani.


