TIRANË- Çmimet e naftës u rritën ndejshëm në tregjet ndërkombëtare, me tregutesin referencë Brent, që kaloi nivelin e 125 dollarëve për fuçi, ndërsa investitorët po vlerësojnë rrezikun e një ndërprerjeje të zgjatur të furnizimeve globale, pas vijimit të bllokadës në Ngushticën e Hormuzit.
Brent arriti gjatë tregtimit deri në 126.41 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga marsi 2022, ndërsa kontratat e naftës amerikane WTI u ngjitën në 108.34 dollarë për fuçi. Rritja e re erdhi pas një vale të mëparshme të fortë në tregjet e energjisë.
Një ditë më parë, Reuters raportoi se kontratat e Brent për qershorin u rritën me 6.77 dollarë, ose 6.1%, duke u mbyllur në 118.03 dollarë për fuçi, përpara se në tregtimet pas mbylljes të preknin 120 dollarë për herë të parë që nga qershori 2022. Në të njëjtën seancë, WTI u rrit me 6.95 dollarë, ose 7%, në 106.88 dollarë për fuçi.
Tensionet u përshkallëzuan më tej pasi bllokada në Hormuz nuk dha sinjale lehtësimi. Brent u rrit deri në 126.20 dollarë për fuçi në tregjet aziatike, ndërsa WTI arriti në 110.23 dollarë, pas raportimeve se SHBA-ja po shqyrtonte opsione ushtarake për të thyer bllokimin e furnizimeve në rajon.
Rëndësia e Hormuzit e bën çdo bllokim të tij një goditje të drejtpërdrejtë për tregun global të energjisë.
Sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë, në vitin 2024 përmes Ngushticës së Hormuzit kalonin mesatarisht rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë, e barabartë me rreth 20% të konsumit global të naftës dhe lëngjeve të tjera të naftës. Pesha e këtij korridori është veçanërisht e madhe për Azinë.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) vlerëson se 89% e naftës bruto dhe kondensatit që kaloi përmes Hormuzit në gjysmën e parë të vitit 2025 shkoi drejt tregjeve aziatike, kryesisht Kinës, Indisë, Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Kriza nuk prek vetëm naftën. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se Hormuzi është gjithashtu një korridor i rëndësishëm për gazin natyror të lëngshëm, veçanërisht për furnizimet nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Azisë.
Sipas IEA, në vitin 2025 rreth 90% e LNG-së që kalonte përmes Hormuzit ishte e destinuar për tregjet aziatike, ndërsa pjesa e Europës ishte pak mbi 10%.
Rritja e çmimeve po ushqen frikën për një valë të re inflacioni global. Kontrata për dorëzimin e qershorit u rrit me 4.1% në 122.88 dollarë.
Çmimet janë rritur ndjeshëm që nga nisja e konfliktit, nga rreth 70 dollarë për fuçi, duke reflektuar bllokimin diplomatik dhe frikën se ndërprerja e furnizimeve mund të zgjasë.
Nëse bllokada zgjatet, tregu rrezikon të hyjë në një fazë çmimesh edhe më të larta, sepse kapacitetet alternative për të zëvendësuar naftën që kalon nga Hormuzi janë të kufizuara.
Për ekonomitë importuese të energjisë, sidomos në Europë dhe Azi, kjo do të thotë kosto më të larta për karburantet, transportin, industrinë dhe zinxhirët e furnizimit, me pasoja të drejtpërdrejta në inflacion dhe rritjen ekonomike./Monitor


