Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, po përballet me akuza penale nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë pas një postimi në Instagram të bërë gjatë pushimeve vitin e kaluar.
Në fotografinë e publikuar prej tij, disa guaska deti ishin vendosur në formën e numrave “86 47”. Ky kombinim u interpretua nga autoritetet si një mesazh kërcënues ndaj Donald Trump, duke qenë se numri 86 në zhargon përdoret për të nënkuptuar “eliminimin” e dikujt, ndërsa Trump është presidenti i 47-të i SHBA-ve.
Pas reagimeve, Comey e fshiu postimin dhe kërkoi ndjesë, duke deklaruar se nuk ishte në dijeni të këtij kuptimi dhe se kundërshton çdo formë dhune.
Sipas aktakuzës, një person i arsyeshëm mund ta perceptonte këtë postim si një kërcënim serioz ndaj presidentit. Ish-zyrtari akuzohet për kërcënim ndaj presidentit dhe për shpërndarjen e këtij mesazhi përmes rrjeteve sociale në mënyrë ndër-shtetërore, vepra që mund të dënohen me gjobë dhe deri në pesë vite burg.
Avokati i tij, Patrick Fitzgerald, i ka mohuar akuzat dhe ka bërë të ditur se do t’i kundërshtojnë ato në gjykatë, duke synuar shpalljen e pafajësisë së klientit të tij.


