Një sulm i madh kibernetik ka goditur FIFA, duke vënë në rrezik të dhënat personale të mijëra futbollistëve dhe zyrtarëve të lidhur me këtë institucion.
Sipas raportimeve nga platforma “FrenchBreaches”, në “dark web” është identifikuar një grup hakerësh që pretendon se ka siguruar akses në sistemet e FIFA-s dhe ka nxjerrë në shitje mbi 150 mijë dokumente, përfshirë pasaporta dhe informacione të ndjeshme.
Të dhënat e publikuara përfshijnë informacione personale si adresa, e-maile dhe potencialisht edhe detaje financiare, çka rrit rrezikun për mashtrime dhe abuzime të mundshme.








Për të dëshmuar vërtetësinë e sulmit, hakerat kanë publikuar shembuj të dokumenteve që lidhen me emra të njohur të futbollit, si Neymar, Son Heung-min, Mehdi Taremi, si dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Grupi i njohur si ShinyHunters e ka cilësuar këtë ndërhyrje si “thyerjen më të madhe në historinë e futbollit”, ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar mbi mënyrën se si është realizuar sulmi apo masat e marra për menaxhimin e situatës.

