Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Operacion antidr*gë në Tiranë/ Lëshohen 30 urdhër arreste, goditen disa grupe kri*inale

    Serbia me Vuçiçin: Nga balancimi drejt distancimit

    Aksident i rëndë në autostradën Tiranë-Durrës, një i vd*kur

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Kosovë

    Çfarë thuhet në raportin e Amnesty International për Kosovën?

    April 21, 2026

    Dhuna me bazë gjinore, thirrjet raciste, sulmet ndaj gazetarëve dhe mungesa e ligjit për bashkësi civile mes personave të gjinisë të njëjtë vlerësohen si ngecjet për Kosovën në raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut të përpiluar nga organizata Amnesty International, të publikuar më 21 prill. Ndërkaq, zhvillim pozitiv është vlerësuar shfuqizimi i një ligji për rregullatorin e mediave.

    Në raportin vjetor, kjo organizatë për të drejtat e njeriut tha se bota është në prag të një epoke të re të rrezikshme, e nxitur nga sulmet e shteteve të fuqishme dhe lëvizjeve kundër të drejtave të njeriut, ndaj multilateralizmit, ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut.

    Shtetet, institucionet ndërkombëtare dhe shoqëria civile “duhet të refuzojnë politikën e pajtimit dhe të rezistojnë kolektivisht ndaj këtyre sulmeve për të parandaluar që ky rend i ri të zërë vend”, tha organizata në raportin e saj mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në 144 vende.

    Sa i përket dhunës me bazë gjinore në Kosovë, Amnesty përmend një raport të Komisionit Evropian të publikuar në nëntor ku thuhet se dhuna me bazë gjinore është në nivel të lartë, veçmas dhuna në familje.

    “Aty pranohet se janë bërë përpjekje për të rritur vetëdijen për këtë çështje dhe për të adresuar ngecjet sa i përket mbrojtjes institucionale dhe ligjore për gratë. Megjithatë, raporti gjeti se këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për të luftuar në mënyrë efektive dhunën me bazë gjinore”, tha Amnesty International.

    Shumica e viktimave të dhunës në familje janë gra, sipas autoriteteve.

    Nga viti 2010 e deri më tani afër 60 gra janë vrarë në Kosovë.

    Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

    Në seksionin për të drejtat e grave dhe diskriminimin po ashtu përmendet edhe vendimi i Gjykatës Supreme për të mbajtur në fuqi e një udhëzim administrativ të vitit 2014 që ndalon veshjet fetare në shkolla, që sipas Amnesty International, “kufizon qasjen e vajzave që mbajnë shami në edukim”.

    Tetorin e vitit të kaluar, Supremja hodhi poshtë padinë e ngritur nga Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita”, që kërkonte lejimin e bartjes së shamisë islame. Ky rrjet kishte kërkuar që të shpallej i paligjshëm një udhëzim i Ministrisë së Arsimit, lidhur me rregullat e veshjes së nxënësve në shkolla, duke argumentuar se ndalimi i shamisë cenon të drejtat kushtetuese për lirinë e besimit.

    Si zhvillim pozitiv, Amnesty International vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese të majit të vitit 2025 që shfuqizoi ligjin për të zgjeruar fuqitë e Komisionit të Pavarur të Mediave.

    “Organizatat e shoqërisë civile e vlerësuan ligjin si jokushtetues, duke thënë se kërcënon lirinë e medias dhe pavarësinë”, u tha në raport.

    Sa i përket mediave, Amnesty tha se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës gjatë vitit 2025 – deri në nëntor – raportoi për 63 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

    Të drejtat e komunitetit LGBTI+ dhe të komuniteteve joshumicë

    Sikurse edhe në raportin e kaluar, edhe në raportin e ri, Amnesty International përmend mosmiratimin e një ligji që do të mundësonte regjistrimin e bashkësive civile mes personave të gjinisë së njëjtë. Në raport u tha se në këtë drejtim “nuk është bërë përparim” dhe legjislacioni nuk është çuar përpara gjatë krizës politike.

    Organizata po ashtu përsëriti se për pjesëtarët e komunitetit LBTI+ (lesbikë, gej, biseksual, transgjinorë, ndërgjinorë, etj) ende nuk është hapur një strehimore e specializuar, ku do të qëndronin anëtarët e komunitetit që përballen me dhunë.

    Ndërkaq, në seksionin e të drejtave për komunitetin rom dhe ashkali, Amnesty tha se familjet rome përballen me frikë nga dëbimi nga vendbanimet joformale, për shkak se nuk kanë dokumente zyrtare. Mungesa e dokumenteve, sipas raportit, është për shkak të kostos dhe pengesave burokratike.

    Po ashtu, përmendet rasti i futbollistit nga komunitetit ashkali, Belgin Jashari, 15 vjeç, i cili u përball me dhunë fizike gjatë një ndeshjeje.

    “Ai më pas tha se ishte përballur shpesh me ofendime raciste, drejt tij janë hedhur shishe dhe është përballur me dhunë gjatë ndeshjeve”, duke shtuar se Policia e Kosovës e arrestoi të dyshuarin dhe ndaj tij është ngritur akuzë për sulm.

    Dënimet për përdhunimet gjatë luftës

    Raporti i organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International po ashtu adreson edhe çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës. Këtu përmendet rasti i Ramadan Nishorit, i cili në prill të vitit të kaluar u bë burri i parë që publikisht pranoi se është i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës dhe foli publikisht për përvojën e tij.

    Sa i përket veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës, raporti kujton se në qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Zhivojin Neshiqin, ish-pjesëtar i policisë serbe dhe forcave ushtarake, me 15 vjet burgim për krime të luftës të kryera më 1999, përfshirë përdhunim.

    Amnesty International kujton po ashtu se në korrik, në një gjykim të mbajtur në mungesë, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Dragan Deniqin dhe Ivica Rajkoviqin me nga 15 vjet burgim për përdhunimin e një gruaje shqiptare gjatë luftës më 1998-1999.

    Raporti po ashtu përmend ngritjen e aktakuzës në gusht nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 21 personave në mungesë për dëbimin e 800.000 shqiptarëve civilë gjatë luftës.

    Kur flitet për akuza për krime lufte, Amnesty përmend edhe proceset gjyqësore që janë zhvilluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.

    “Në maj, Qeveria [e Kosovës] u patua që të pranonte pretendime për kompensim nga viktimat e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u gjetën fajtorë në Dhomat e Specializuara në Hagë”, u tha në raport.

    Ish-komandanti i UÇK-së, Sali Mustafa, është dënuar për krime lufte dhe gjykata ka urdhëruar që ai të paguajë 207 mijë euro në emër të kompensimit të dëmeve për tetë viktimat në procesin ndaj tij. Megjithatë, Mustafa ka deklaruar se nuk ka mjete që të paguajë zhdëmtimin.

    Amnesty po ashtu përmend edhe njoftimin nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se në mars të vitit të kaluar u identifikuan edhe 11 persona të zhdukur, teksa shtoi se që nga lufta janë afër 1.600 persona që vazhdojnë të jenë të zhdukur.

    Në raportin vjetor vihet në pah edhe kriza politike, pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, kur deputetët dështuan të konstituonin Kuvendin dhe Kosova mbajti sërish zgjedhje të reja parlamentare më 28 dhjetor. Po ashtu, theksohet se Kosova ka pranuar migrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, teksa vendi ka njoftuar për negociata me Mbretërinë e Bashkuar për ndërtimin e një qendre për ndalimin e azilkërkuesve, aplikimet e të cilëve refuzohen nga Britania./REL

    Amnesty International
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Operacion antidr*gë në Tiranë/ Lëshohen 30 urdhër arreste, goditen disa grupe kri*inale

    April 21, 2026

    Serbia me Vuçiçin: Nga balancimi drejt distancimit

    April 21, 2026

    Aksident i rëndë në autostradën Tiranë-Durrës, një i vd*kur

    April 21, 2026

    Zjarri te “Farmacia 10″/ Propozohen rritje deri në 50% e pagesës për orët shtesë të zjarrfikësve

    April 21, 2026
    Mos e humb
    Fokus April 5, 2026

    Evropa, Shqipëria dhe Berisha ‘në mes’

    Nga Flogert Muça Në diskursin politik shqiptar, sa herë që procesi i integrimit në Bashkimin…

    Rezerva strategjike e naftës, ose zahire për botën e re

    “Po pushton Tiranën”/ Pse Philipp Plein i adhuron shqiptarët? (VIDEO)

    Ish-shoqëruesi besnik i Fatos Nanos: Arben Ahmetaj, dy fjalë kam për ty

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Parashikimi i horoskopit 21 Prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Parashikimi i horoskopit 20 Prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Mundësi të reja në horizont/ Tre shenjat e Horoskopit që do të përjetojnë ndryshime të mëdha deri në fund të Prillit

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.