Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tetë persona të akuzuar për mashtrim kompjuterik ndaj shtetasve gjermanë, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, hetimi nisi pas një kërkese për ndihmë juridike nga Prokuroria e Përgjithshme Karlsruhe në Gjermani, ku po hetohej një rrjet i dyshuar mashtrimi të organizuar.
Nga hetimet rezultoi se më 14 dhjetor 2023, një grua nga zona e Freiburgut u vu në shënjestër të skemës kriminale, ku autorët i kërkuan 120 mijë euro. Dorëzimi i shumës u pengua falë ndërhyrjes së policisë gjermane.
Autorët përdornin aplikacione “Caller-ID-Spoofing”, teknologji “Voice-over-IP” dhe shërbime VPN për të fshehur identitetin, ndërsa telefonatat kryheshin nga vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë.
Në bashkëpunim me autoritetet gjermane, hetuesit identifikuan një call center në rrugën “Hamdi Sina” në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar më 18 prill 2024, policia gjeti gjashtë persona dhe sekuestroi prova të shumta materiale, digjitale dhe dokumentare.
Sipas SPAK, nga analiza e provave u konstatua ekzistenca e një grupi kriminal që mashtronte shtetas gjermanë përmes qendrave të thirrjeve të paregjistruara si biznese.
Dëmi i dokumentuar arrin në 363 mijë e 501 euro për 14 viktima në Gjermani, ndërsa qindra tentativa të tjera u parandaluan nga policia gjermane.
Gjykata e Posaçme ka caktuar më herët masa sigurie “arrest në burg” për pesë persona dhe “arrest në shtëpi” për tre të tjerë. Një prej të hetuarve është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri.
SPAK deklaron se lufta ndaj mashtrimeve online përmes call center-ave do të vijojë si prioritet, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.


