Futbolli europian është tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish-portierit austriak Alex Manninger, i cili humbi jetën tragjikisht në moshën 48-vjeçare, pasi automjeti me të cilin udhëtonte u përplas nga një tren.
Manninger u bë i njohur gjatë periudhës së tij te Arsenal, ku luajti nga viti 1997 deri në vitin 2002 dhe regjistroi 64 paraqitje. Me klubin londinez ai fitoi Premier League dhe FA Cup, duke qenë pjesë e një prej skuadrave më të suksesshme të asaj kohe.
Në arenën ndërkombëtare, ai veshi fanellën e Austrisë në 33 ndeshje dhe ishte pjesë e ekipit kombëtar në Euro 2008, turne i zhvilluar në vendlindjen e tij.
Drejtori sportiv i Federatës Austriake të Futbollit, Peter Schottel, e kujtoi si një ambasador të shkëlqyer të futbollit austriak, duke vlerësuar profesionalizmin, qetësinë dhe besueshmërinë që e karakterizonin.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Manninger luajti për 14 klube në Europë, mes tyre Juventus, Udinese dhe Augsburg. Në vitin 2016 firmosi edhe me Liverpool, por nuk arriti të debutonte.
Te Arsenal, ai mbetet i paharruar edhe për rolin vendimtar në sezonin 1997-98, kur zëvendësoi David Seaman pas dëmtimit dhe ndihmoi skuadrën në rrugën drejt trofeve.


