Një ngjarje e paprecedent ka shqetësuar qytetarët dhe autoritetet britanike. Policia e trupës së sigurisë së kryebashkiakut të Londrës, Sadiq Khan, la jashtë rezidencës së tij një çantë që përmbante një pushkë automatike MP5, një pistoletë Glock, një taser dhe fishekë.
Çantën e gjeti një kalimtar, Jordan Griffiths, i cili telefonoi menjëherë policinë. “Nuk po i besoja syve. Bëra foto për të dokumentuar gjetjen,” rrëfeu ai për mediat. “Telefonova policinë dhe u tregova çfarë kisha gjetur. Brenda pak minutash erdhën dhe ata ishin gjithashtu të shokuar,” shtoi ai. Griffiths tha se policia e informoi se çanta ishte harruar nga një nga oficerët e sigurisë së kryebashkiakut.
Pas ngjarjes, pesë efektivë janë pezulluar përkohësisht, ndërsa hetimet vazhdojnë. Zëdhënësi i kryebashkiakut theksoi se incidenti konsiderohet shumë serioz dhe është referuar Drejtorisë për Standardet Profesionale të Policisë Metropolitane.
“Ky është një incident shumë serioz. Policia Metropolitane duhet të marrë të gjitha masat për të siguruar që një gjë e tillë të mos ndodhë më kurrë,” tha ai, duke nënvizuar rëndësinë e standardeve të larta të sigurisë për zyrtarët publikë dhe qytetarët.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në Londër, duke nxitur pyetje mbi procedurat e sigurisë së zyrtarëve të lartë dhe kontrollin e armëve të forcave të policisë që merren me mbrojtjen e tyre.
🚨NEW: Armed police officers guarding London Mayor Sir Sadiq Khan left a bag containing guns on the street outside his home
— GB Politics (@GBPolitcs) April 3, 2026
Five officers are believed to have forgotten the holdall, which was found on the kerbside at around 9:30pm on Tuesday
[@TheSun] pic.twitter.com/i7sz5uNKuW


