Policia e Himarës ka ndërhyrë me sukses për të parandaluar një ngjarje të rëndë familjare, ku një 35-vjeçar mbajti peng prindërit e tij nën kërcënimin e një mjeti prerës.
Ngjarja ka ndodhur kur shtetasi Spiro Dhimaleksi, në gjendje të rënduar psikologjike, izoloi prindërit e tij, 60 dhe 65 vjeç, në një dhomë dhe i kërcënoi me thikë se do t’i vriste. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat e policisë mbërritën në vendngjarje dhe nisën negociatat me autorin.
Pas më shumë se një ore negociatash intensive, një efektiv i policisë, banor i zonës, arriti të komunikojë drejtpërdrejt me 35-vjeçarin, duke ulur tensionin. Gjatë ndërhyrjes, ai tentoi të dëmtojë veten me mjetin prerës, duke pësuar plagë në zonën e barkut.
Policia ndërhyri menjëherë, e neutralizoi dhe i hoqi mjetin prerës, duke mundësuar shpëtimin e prindërve pa lëndime. Më pas, autori u shoqërua fillimisht në Komisariatin e Himarës dhe më pas në Vlorë, ku mori ndihmë mjekësore dhe u referua për trajtim psikiatrik.
Prindërit janë marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia thekson se falë ndërhyrjes profesionale dhe negociatave të kujdesshme, u shmang një tragjedi e mundshme.


