Një ngjarje tragjike është shënuar në Piacenza të Itali, ku një 20-vjeçare me origjinë shqiptare, Anxhela Byku, humbi jetën pasi ra nga ballkoni i banesës ku jetonte me bashkëshortin e saj.
Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në një pallat në zonën Viale Beverora. Shërbimet e emergjencës dhe Carabinieri mbërritën në vendngjarje pas alarmit të dhënë nga bashkëshorti i saj, i cili e gjeti të shtrirë në oborrin e brendshëm të ndërtesës.
Rënia nga një lartësi rreth 10 metra i shkaktoi të resë dëmtime të rënda, veçanërisht në kokë, që rezultuan fatale.
Njësia hetimore e karabinierëve ka kryer verifikime dhe inspektime të detajuara në apartament dhe në ambientet përreth për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Sipas hetimeve paraprake, autoritetet kanë përjashtuar përfshirjen e personave të tretë dhe dyshohet se bëhet fjalë për një aksident.
Hetuesit besojnë se 20-vjeçarja kishte mbetur jashtë apartamentit dhe, në përpjekje për t’u futur sërish brenda përmes ballkonit, ka humbur ekuilibrin duke rënë nga lartësia.
Pas ngjarjes tragjike, familjarët e saj, përfshirë nënën dhe motrën, kanë udhëtuar nga Shqipëria drejt Italisë për të qëndruar pranë të afërmve të viktimës.


