Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektvendim për ndryshime dhe shtesa në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Dokumenti, me nr. 944 Prot., mban datën 2 mars 2026 dhe i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Nisma mbështetet në nenin 75, pika 2 të Kushtetutës dhe në nenin 117 të Rregullores aktuale, duke synuar ndërhyrje të gjera në procedurat parlamentare, organizimin e komisioneve të përhershme dhe mekanizmat e mbikëqyrjes së institucioneve.
Procedurë e përshpejtuar për ligjet e integrimit
Një nga risitë kryesore është parashikimi i një neni të ri (a/8), i cili sanksionon procedurën e përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimi Evropian, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe detyrimet që burojnë nga procesi i negociatave për anëtarësim.
Sipas propozimit, këto projektligje do të përfshihen menjëherë në programin e punës së Kuvendit dhe do të trajtohen me procedurë të përshpejtuar, me përjashtim të atyre që kërkojnë shumicë të cilësuar sipas nenit 81, pika 2 të Kushtetutës.
Riorganizim i komisioneve të përhershme
Projektvendimi parashikon ndryshime edhe në nenin 19 të Rregullores, duke përcaktuar ngritjen e 11 komisioneve të përhershme me emërtesa dhe fusha përgjegjësie të rishikuara. Mes tyre përfshihen:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale
Ky i fundit parashikohet të ketë rol të zgjeruar në kontrollin post-legjislativ dhe në koordinimin e dialogut ndërinstitucional.
Shkurtohet koha e diskutimeve
Ndryshimet prekin edhe zhvillimin e seancave plenare. Propozohet që koha e fjalës për deputetët, në disa raste, të reduktohet nga 10 minuta në maksimum 5 minuta, si dhe të riformatohen rregullat për organizimin e debateve dhe raportimeve në seancë.
Mekanizëm i ri monitorimi
Në nenin 103 dhe vijues, projektvendimi parashikon forcimin e mekanizmave të raportimit për institucionet kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj. Do të hartohet një kalendar vjetor për paraqitjen e raporteve, do të zhvillohen seanca dëgjimore periodike dhe do të miratohet një Mekanizëm i Monitorimit Periodik dhe Vjetor të Institucioneve.
Gjithashtu, parashikohen afate të qarta për shqyrtimin e nismave qytetare dhe peticioneve, duke synuar rritjen e rolit mbikëqyrës të Kuvendit.
Procedura më të detajuara për zgjedhje dhe shkarkime
Projektvendimi përcakton rregulla më të qarta për procedurat e zgjedhjes së anëtarëve në organet kushtetuese ose ato të krijuara me ligj, si në rastet kur propozimet vijnë nga institucione të tjera, ashtu edhe nga një grup deputetësh.
Po ashtu, kërkesa për shkarkimin e anëtarëve të këtyre organeve duhet të jetë e argumentuar me shkrim dhe të mbështetet nga jo më pak se 28 deputetë, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.


