Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson, është arrestuar në Londër nën dyshimin për shpërdorim detyre, në kuadër të një hetimi që lidhet me dosjen e financierit amerikan Jeffrey Epstein.
Sipas policisë britanike, një 72-vjeçar u ndalua pas bastisjeve në dy prona të lidhura me të. Ai u lirua më pas me kusht, ndërsa hetimet vijojnë.
Procedimi penal erdhi pas publikimit të miliona dokumenteve nga Department of Justice, ku pretendohet se përfshihet korrespondencë dhe komunikim mes Mandelson dhe Epstein. Dokumentet sugjerojnë se mes tyre mund të jenë shkëmbyer informacione të ndjeshme qeveritare, si dhe janë diskutuar politika ekonomike gjatë periudhës kur Mandelson mbante postin e ministrit të Biznesit në vitet 2008–2010.
Avokatët e tij reaguan duke i cilësuar akuzat si të pabaza dhe arrestimin të panevojshëm, duke theksuar se ishte rënë dakord për një intervistë vullnetare me autoritetet. Ata kundërshtuan gjithashtu pretendimin se ekzistonte rrezik largimi nga vendi, duke nënvizuar se klienti i tyre synon të bashkëpunojë plotësisht me hetuesit për të sqaruar çështjen dhe për të mbrojtur reputacionin e tij.
Mandelson ishte shkarkuar nga posti i ambasadorit në SHBA në shtator, pas daljes në dritë të detajeve mbi marrëdhënien e tij me Epstein. Ai ka dhënë dorëheqjen edhe nga House of Lords në fillim të këtij muaji.
Hetimet mbeten në zhvillim, ndërsa çështja ka rikthyer në vëmendje lidhjet e figurave të larta politike me rrjetin e diskutueshëm të Epstein.


