Një tragjedi e rëndë është shënuar në Peru, ku një helikopter ushtarak u rrëzua, duke lënë pas 15 viktima, mes tyre shtatë fëmijë.
Sipas njoftimit të Forcat Ajrore të Perusë, mbetjet e helikopterit u gjetën pranë qytetit Chala Viejo, në rrethin Chala të provincës Caravelí. Kontakti me mjetin fluturues ishte humbur të dielën rreth orës 16:30 me orën lokale, çka aktivizoi menjëherë një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi.
Forcat speciale dhe patrullat e policisë e lokalizuan helikopterin në orët e para të mëngjesit. Mësohet se në bord ndodheshin familjarë të oficerëve të Forcave Ajrore në Arequipa, të cilët po transportoheshin për të shmangur një bllokadë në zonën e Nazkës, e shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut dhe ortekët.
Autoritetet sqaruan se helikopteri ishte i angazhuar në operacione kërkim-shpëtimi dhe në ofrimin e ndihmës për zonat e prekura nga përmbytjet dhe ortekët në rajonin e Arequipës, ndërsa përdorej edhe për trajnimin e parashutistëve. Operacionet e kërkimit u vështirësuan nga kushtet e pafavorshme të motit. Hetimet për shkaqet e aksidentit janë në vijim.


