Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia e Burrelit pasi dyshohet se kanë goditur me sende të forta një 34-vjeçar brenda ambienteve të një lokali në qytet.
Si pasojë e konfliktit fizik, i dëmtuari ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë ndihmën mjekësore.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mat referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit P.P., 28 vjeç dhe E.Z., 34 vjeç, banues në Durrës, të cilët dyshohet se janë përfshirë në konflikt dhe kanë goditur me sende të forta shtetasin A.K., 34 vjeç.
Policia bën me dije se po vijon puna për kapjen e tyre dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


