TIRANË– Kanë dalë detaje të reja sa i takon ngjarjes së ndodhur në Tiranë, ku modelja Klea Prenga u sulmua rëndë në një restorant në Tiranë, me porosi të dy motrave Berisha.
Sipas njoftimit që bëri vet Prenga, janë dy motrat Antonela dhe Mariela Berisha ato që porositën sulmin, dhe i thyen një gotë qelqi në fytyrë duke e lënë me plagë të rënda e të larë në gjak.
Ndërkohë që Antonela dhe Mariela Berisha janë shpallur në kërkim, policia ende s’ka rënë në gjurmë të tyre, por deri më tani është mësuar se janë sekuestruar dy automjete, makinën që dy motrat kanë pasur natën e ngjarjes dhe makinën të cilën e kanë përdorur pas dhunimit brutal të Klea Prengës.
Zyrtarisht, sipas TIMS, ish-banorja e BBV dhe e motra nuk janë larguar jashtë vendit. Prokurori ka nxjerrë urdhër ndalimet për akuzën e plagosjes së rëndë në bashkëpunim.
NGJARJA
Njoftimi i parë për këtë ngjarje ka ardhur nga vet viktima, Klea Prenga. Ajo përmes një postimi në Instagram ka publikuar disa foto ku qartazi i duken plagët e marra nga sulmi i dhunshëm mbrëmjen e 6 Gushtit. Ajo gjithashtu krahas pamjeve kishte bërë edhe një shkrim ku tregonte gjithçka dinte për atë çka i kishte ndodhur, duke përmendur dy motrat Berisha, faktin që ka bërë denoncim në polici dhe se nuk do ta linte këtë çëshje me kaq.
Ngjarja pretendohet të ketë ndodhur për faktin se Prenga i ka marrë burrin motrë së Antonelës, por sipas modeles kjo nuk është e vërtetë. Për këtë ngjarje pati shumë reagime.
Megjithatë siç raportohet edhe në një artikull të Panorama Online, thuhet se prej disa muajsh motra e Antonelës është ndarë nga partneri me të cilin ka edhe një djalë. Duket se ajo nuk e ka pranuar ndarjen dhe prej disa kohësh vijon të kontaktojë me vajza, për të cilat dyshon se partneri e ka tradhtuar.
“Të martën, rreth orës 21:30, teksa isha duke ngrënë qetësisht në një restorant në Tiranë, u përballa me një sulm të papritur dhe të dhunshëm. Dikush më goditi nga pas dhe më theu një gotë në fytyrë ndërsa po haja. Dëmtimet janë të rënda dhe kam shpëtuar për një qime. Tronditja e asaj nate është e paimagjinueshme. Sulmi u krye nga Mariela Berisha dhe Antonela Berisha. As ato dhe askush tjetër nuk mund ta shkatërrojë fytyrën dhe imazhin tim. Më vjen keq për to, sepse e tyrja është e shkatërruar me kohë. Nga anët tona as hasmi nuk goditet duke ngrënë. Po të ishe aq gangstere sa të duket vetja, do më kishe ardhur përballë. Sa për mesazhin kërcënues që ke dërguar pasi ke kryer sulmin. Mua nuk ma prishin dot imazhin fundërrina si ju qe ju njeh e gjithë Shqipëria. Ti nuk ke familje vajzë e dashur që të të hyhet në mes. Ti del e tregon përralla nëpër media për jetën tënde. Femra xheloze si puna juaj meritojnë të izolohen në një spital mendor, sepse as sulmet e juaja të dhunshme nuk do të mundin të më shkatërrojnë mua apo jetën time. Femra si puna juaj janë mësuar me jetën e rrugës dhe aq kapacitet keni sa të arrini në veprime të tilla jo njerëzore. Por mua nuk ma prishni dot identitetin dhe vlerat e mia, sepse vij nga një familje me vlera dhe integritet dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë. Do jua çjerr maskën shumë shpejt. Regjistrimet e kamerave janë në dorën e shtetit dhe do të publikohen së shpejti. Jam mirënjohëse që jam ende këtu dhe se nuk përfundoi më keq. Policia po heton ngjarjen, dhe shpresoj që drejtësia të vihet në vend. Ky sulm nuk do të më ndalojë; përkundrazi, do të më bëjë më të fortë dhe më të vendosur.”- ka shkruar Klea në Instagram dy ditë pas ngjarjes.

“Akuza të rënda dhe përmendje e emrave pa e ditur situatën janë të tepërta dhe të papërgjegjshme. Kur dikush më sulmoi pa të drejtë, duke sjellë akuza të pabaza dhe duke ndërhyrë në jetën time, ndjeva që është e nevojshme të mbrohem. Personi që më sulmoi nuk ka burrë dhe as nuk i ka ndërhyrë dikush në familje. Megjithatë, kjo situatë më kujton se femrat me vetëbesim të ulët shpesh besojnë se gjithçka mund të merret me forcë. Ata nuk arrijnë të kuptojnë se fuqia e vërtetë vjen nga qëndrimi me dinjitet, nga zgjidhja për të mos u ulur në të njëjtin nivel me ata që përhapin negativitet. Është e rëndësishme të kuptojmë se sjellja e tyre reflektim më shumë për to sesa për ne. Njerëzit që sulmojnë të tjerët shpesh e bëjnë këtë për të mbuluar pasiguritë e tyre, për të shmangur reflektimin mbi problemet e veta. Ata që mendojnë se gjithçka merret me forcë, zakonisht janë ata që nuk kanë njohur asnjëherë fuqinë e komunikimit të hapur, të ndershëm dhe të respektueshëm. Në vend që të lejoj këto sulme të ndikojnë tek unë, unë zgjedh të qëndroj e fortë, e qetë dhe e vetëdijshme për vlerën time. Nuk ka nevojë të përfshihem në lojërat e tyre të vogla. Unë do të vazhdoj përpara me kokën lart, duke u përqendruar tek vetja dhe njerëzit që më mbështesin, dhe duke mos lejuar që negativiteti i të tjerëve të më rrëzojë.”- shkruan Prenga mbi foton ku shfaqet me plagët e qepura në fytyrë.



