Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të disa produkteve ushqimore për foshnje të markës APTAMIL, pas dyshimeve për praninë e toksinës Cereulide.
Sipas AUV-së, alarmi është ngritur përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), i cili ka konfirmuar se produktet e prekura janë prodhuar në Gjermani, Holandë dhe Irlandë.
Për shkak të nivelit të lartë të rrezikut, autoritetet kosovare, në bashkëpunim me kompaninë importuese UNION sh.p.k. nga Vushtrria, kanë nisur procedurat për tërheqjen e këtyre produkteve nga qarkullimi në tregun e Kosovës.
AUV u ka bërë thirrje bizneseve që të ndalojnë menjëherë shitjen e produkteve të përfshira në njoftim, ndërsa prindërit dhe konsumatorët këshillohen të mos i përdorin këto produkte dhe t’i kthejnë në pikat ku janë blerë.
Agjencia thekson se po vazhdon monitorimin e tregut dhe zbatimin e masave parandaluese për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të foshnjave dhe konsumatorëve në përgjithësi.



