Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, njoftoi sot se Komisioni ka nisur vizita monitoruese në gjykata dhe institucione të sistemit të drejtësisë, pas ngjarjes tragjike në Gjykatën e Apelit që përfundoi me vdekjen e gjyqtarit Kalaja. Ai theksoi se ngjarja “kërkon vendosjen në përgjegjësi të institucioneve dhe ndërmarrjen e një reagimi të koordinuar institucional” dhe shtoi se nevoja kryesore “nuk është thjesht gjetja e përgjegjësve, por parandalimi i ngjarjeve që cënojnë jetën e magjistratëve, stafeve gjyqësore dhe qytetarëve në institucionet e drejtësisë”.
Xhafaj bëri të ditur se Komisioni vepron mbi kërkesën e KLGJ-së, e cila ka kërkuar ndërhyrje urgjente për përmirësimin e sigurisë fizike, rritjen e personelit të sigurisë, mbështetje buxhetore dhe rishikimin e kuadrit ligjor që rregullon sigurinë në gjykata. “Këto vizita janë pjesë e një qasjeje të strukturuar dialoguese dhe bashkëpunuese, për të ndërtuar një qasje të koordinuar ndaj sfidave të evidentuara dhe për të miratuar më pas një rezolutë parlamentare me masa konkrete”, u shpreh ai.
Gjatë dy javëve të fundit, Komisioni ka vizituar KLGJ, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe 16 gjykata e prokurori të rretheve gjyqësore, ku u njohën nga afër me problemet infrastrukturore, masat e sigurisë dhe nivelin e ngarkesës së çështjeve që ndikojnë në funksionimin e përditshëm të institucioneve dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Xhafaj shtoi se veprimtaria e Komisionit zhvillohet “brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, duke respektuar pavarësinë e institucioneve dhe ndarjen e pushteteve”, duke synuar forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbështetjen e standardeve evropiane. Ai gjithashtu bëri të ditur se Komisioni ka miratuar edhe planin e punës për trajtimin e kërkesës së Agjencisë së Inteligjencës Financiare, për parandalimin e pastrimit të parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e armëve të shkatërrimit në masë.


