Qytetarë të shumtë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në aksin rrugor Librazhd–Qafë Thanë, pasi rruga është bllokuar nga rrëshqitja e një masivi dheu dhe gurësh.
Udhëtarët shprehen të revoltuar për situatën e krijuar, duke theksuar mungesën e informacionit dhe ndërhyrjes së shpejtë. Disa prej tyre deklarojnë se presin prej më shumë se pesë orësh, ndërsa mes tyre ka edhe persona të sëmurë.

“Kemi mbi një orë e gjysmë që presim. Po udhëtojmë nga Tirana drejt Maqedonisë dhe askush nuk na ka informuar se çfarë po ndodh,” shprehet një qytetar.
Një tjetër udhëtar thekson: “Pesë orë kemi që presim, jemi të sëmurë dhe nuk na ka dhënë askush informacion.”
Sipas dëshmive, rrëshqitja e dheut ka ndodhur vetëm pak metra larg automjeteve që po qarkullonin në zonë, ndërsa qytetarët shpresojnë që rruga të hapet sa më shpejt për të vijuar udhëtimin.


