Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar në rajonet Lombardi dhe Piemonte, ku autoritetet italiane kanë arrestuar 17 persona të dyshuar për trafik dhe posedim lëndësh narkotike. Mes të arrestuarve ndodhet edhe një shtetas shqiptar.
Operacioni është shtrirë në provincat Bergamo, Brescia, Torino dhe Verbano-Cusio-Ossola, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar 7 kilogramë hashash, 700 gramë kokainë si dhe mbi 84 mijë euro para të gatshme.
Sipas autoriteteve italiane, të arrestuarit janë 10 italianë, 6 marokenë dhe 1 shqiptar, të gjithë persona me precedentë penalë. Ata u identifikuan pas një hetimi të nisur në prill të vitit 2024, i cili zbuloi ekzistencën e një rrjeti të organizuar për trafikimin e kanabisit dhe kokainës, me një xhiro mujore që arrinte rreth 400 mijë euro.
Hetuesit bëjnë me dije se qendra e aktivitetit kriminal ishte komuna Pian Camuno, në provincën e Brescias, ku zhvillohej edhe shitja e lëndëve narkotike.
Metodat e shpërndarjes së drogës u dokumentuan në detaje nga kamerat e fshehta të vëzhgimit, të instaluara nga Karabinierët. Blerësit mbërrinin në vendin e caktuar në këmbë ose me skuter dhe kontaktonin trafikantët, të cilët fshiheshin mes shkurreve në një rrugicë anësore. Shkëmbimi i drogës me paratë kryhej shpejt, përmes një muri të ulët, për të shmangur vëmendjen e forcave të rendit.
Hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.


