Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot Knessetit, parlamentit të Izraelit, me një fjalim historik, pjesë e një seance të posaçme që Knesseti i rezervon vetëm udhëheqësve të huaj, duke përfshirë më parë edhe presidentin e SHBA, Donald Trump.
Në nisje, përshëndetën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, kryetari i Knessetit Amir Ohana dhe lideri i opozitës Yair Lapid.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se paqja është e mundur dhe se marrëveshjet abrahamike mund të shërbejnë si model për stabilitet në rajon. Ai shtoi se Shqipëria ndihet e bekuar të ketë si aleatë Izraelin dhe vendet arabe, përfshirë edhe Turqinë, dhe shprehu gatishmërinë e vendit për të kontribuar në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza.
Në fund të fjalimit, Rama u referua tek mesazhi i Yitzhak Rabin, martirit hebre të paqes, duke bërë thirrje që izraelitët dhe palestinezët t’i japin vënies së paqes një shans. Ai kërkoi vetëpërmbajtje, dinjitet njerëzor dhe bashkëjetesë në siguri për të dyja palët, duke e cilësuar këtë si një rrugë të re drejt epokës së paqes dhe përfundimit të luftërave.
“Le të lulëzojë Shteti i Izraelit dhe të jetë i sigurt përjetësisht. Le të jenë palestinezët të lirë dhe të jetojnë me dinjitet në shtetin e tyre. Dy kombet tona të vogla, por të mëdha në shpirt, të mbeten të lidhura përjetë, jo vetëm nga historia, por edhe nga përkushtimi për ta mbajtur njerëzimin njerëzor,” përfundoi Rama.


