Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur sot në Itali, ku një 20-vjeçar shqiptar ka humbur jetën. Viktima është identifikuar si Klaudio Gjoka, ndërsa ngjarja ndodhi në autostradën e Rrugës Shtetërore 589, në segmentin Saluzzo-Barge, pranë Abacisë Stafarda.
Sipas mediave italiane, përplasja ndodhi mes një kamioni dhe makinës tip “Audi” që po drejtohej nga i riu shqiptar. Në vendngjarje kanë intervenuar zjarrfikësit e Saluzzo-s, karabinierët dhe shërbimet e urgjencës shëndetësore, të cilët u përballën me situatën dramatike për të nxjerrë trupin e viktimës.
Rruga u mbyll për disa orë për shkak të kaosit dhe aksidentit, ndërsa më pas u hap sërish për qarkullimin. Autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të sqaruar shkaqet e aksidentit.


