Rreth 50 kursantë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar sërish nga ushqimi.
Sipas raportimeve, mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 kursantët kanë pasur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke.
Disa prej tyre kanë përfunduar në spital për ndihmë mjekësore.
Ky është rasti i dytë i helmimit masiv në Akademinë e Sigurisë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Më 7 maj të këtij viti, 56 studentë u paraqitën me simptoma të ngjashme pas konsumimit të ushqimit të shërbyer në akademi nga kompania “SORI-AL”.
Hetimet e kryera pas rastit të parë zbuluan se një prej mostrave ushqimore, konkretisht makaronat e gatshme, rezultoi e kontaminuar me bakterin Escherichia coli dhe stafilokok koagulazë pozitiv. Analizat e kryera nga laboratori i referencës pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), konstatuan se nga nëntë mostrat e marra për ekzaminim, vetëm njëra rezultoi jashtë standardeve të sigurisë ushqimore.
Kontrollet e AKU-së u shtrinë edhe në Garnizonin “Skënderbej”, ku prodhoheshin ushqimet që shpërndaheshin në Akademinë e Sigurisë.
Sakaq, në kuadër të hetimeve për helmimin e parë, Policia e Tiranës arrestoi Kujtim Ballgjinin, 52 vjeç, me detyrë kuzhinier, dhe Kristjana Plakën, 23 vjeçe, teknologe ushqimi në kompaninë “SORI-AL”. Nën hetim u vendos edhe teknologia tjetër e ushqimit, R. Ç.


