Situata mbetet e tensionuar në zonën e Ferrasit, në Fier, pasi niveli i ujit ka arritur kufirin maksimal të argjinaturës, duke rritur ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve.
Si masë parandaluese, strukturat përgjegjëse në bashkëpunim me banorët kanë ndërhyrë duke vendosur thasë me rërë përgjatë argjinaturës, veçanërisht në pikat më problematike, për të shmangur tejkalimin e nivelit të ujit.
Sipas informacioneve nga terreni, prurjet e mëdha të shkaktuara nga reshjet e fundit kanë bërë që niveli i ujit të jetë aktualisht në të njëjtën lartësi me argjinaturën, duke paraqitur rrezik të menjëhershëm.
Si pasojë e situatës, është bllokuar aksi i vjetër Levan–Vlorë, ndërsa në zonë po punohet pa ndërprerje për menaxhimin e situatës. Autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimet për të parandaluar çdo emergjencë të mundshme.


