Një 14-vjeçar nga Hasi, i shpallur në kërkim pas denoncimit të familjarëve, është lokalizuar dhe kapur nga policia në Mitrovicë.
Sipas Policisë, ditën e djeshme i mituri ka marrë pa leje automjetin e të atit dhe është larguar nga banesa. Familjarët kanë bërë menjëherë kallëzim në Komisariatin e Policisë Has, ndërsa shërbimet policore e kanë shpallur në kërkim dhe kanë nisur kontrollet për gjetjen e tij.
Pas bashkëpunimit mes strukturave policore, 14-vjeçari është gjetur në territorin e Kosovës, konkretisht në Mitrovicë.
Nga të dhënat paraprake mësohet se i mituri ka furnizuar automjetin me 79 euro karburant në dalje të Pejës, në aksin rrugor drejt Prishtinës.
Autoritetet po kryejnë veprimet e mëtejshme procedurale, ndërsa 14-vjeçari pritet t’u dorëzohet familjarëve.

