Shqipëria ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për veprimet e Shteteve të Bashkuara ndaj regjimit të presidentit venezuelian Nicolás Maduro.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, ku deklaroi se Shqipëria qëndron “pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës”.
“Ne mbështesim lidershipin e fortë të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale”, shkruan Spiropali në reagimin e saj.
Ajo thekson gjithashtu se populli venezuelian ka një të drejtë të pamohueshme për liri, demokraci dhe sundim të ligjit, duke nënvizuar se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë përballë shtypjes dhe frikës.
“Si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s, Shqipëria qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale”, përfundon ministrja e Jashtme.


