Një ndërprerje e energjisë elektrike në Tunelin e Kanalit të La Manshit ka shkaktuar kaos në linjën hekurudhore “Eurostar”, duke çuar në anulimin e dhjetëra udhëtimeve dhe vonesa të konsiderueshme për të tjera.
Kompania Eurostar njoftoi se problemet janë shkaktuar nga një “ndërprerje e energjisë elektrike në tunel”, e shoqëruar edhe me një “defekt teknik në një tren Le Shuttle”, çka ka ndikuar ndjeshëm në funksionimin normal të shërbimeve. Sipas njoftimit zyrtar, pritet që lëvizja e trenave të rifillojë rreth orës 16:00 të ditës së sotme, 30 dhjetor.
Në një deklaratë për pasagjerët, Eurostar këshilloi shtyrjen e udhëtimeve:
“U rekomandojmë fuqimisht të gjithë pasagjerëve të planifikojnë udhëtimin e tyre për një datë tjetër dhe të shmangin paraqitjen në stacion nëse nuk kanë tashmë një biletë për sot.”
Trenat Eurostar lidhin Londrën me destinacione të rëndësishme evropiane si Parisi, Brukseli, Amsterdami dhe Disneyland Paris, duke e bërë këtë ndërprerje veçanërisht problematike.
Incidenti ndodhi në një nga korridoret hekurudhore ndërkombëtare më të frekuentuara të Evropës, pikërisht në kulmin e sezonit të udhëtimeve dimërore, duke prekur mijëra udhëtarë.


