Spanja po përballet me një situatë të rëndë për shkak të reshjeve intensive të shiut, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të mëdha dhe kanë izoluar mijëra qytetarë në banesat e tyre. Autoritetet kanë lëshuar paralajmërim të kuq për “rrezik ekstrem” në disa zona turistike, ndërsa stuhia e fuqishme ka goditur veçanërisht rajonin e Costa del Sol.
Provinca e Malagës është ndër më të prekura, ku alarmi i kuq është shpallur në 27 komuna dhe autoritetet paralajmërojnë se situata pritet të përkeqësohet në orët në vijim. Reshjet e dendura kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumenjve dhe përmbytje të konsiderueshme në zona urbane dhe rurale.
Sipas mediave ndërkombëtare, zonat e Sol dhe Guadalhorce janë ndër më të goditurat. Rrugët janë shndërruar në lumenj balte, ndërsa rrymat e forta kanë rrëmbyer automjete, pemë dhe mbeturina. Pamjet nga terreni tregojnë makina që lundrojnë nëpër ujë, ndërsa banorë dhe turistë kanë mbetur të bllokuar në shtëpitë apo mjetet e tyre. Në disa zona, niveli i ujit raportohet se ka arritur disa metra lartësi.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda banesave dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme. Krahas alarmit të kuq në Malaga, janë lëshuar paralajmërime portokalli për reshje intensive në rajonet e Ronda, Antequera dhe Axarquía, si dhe përgjatë bregdetit të Granadës dhe në disa zona të Almerías.
Paralajmërime të verdha mbeten në fuqi edhe për Cádiz, Huelva dhe zona të tjera bregdetare, ku është aktivizuar gjithashtu alarmi detar. Autoritetet u kanë këshilluar banorëve dhe turistëve të kërkojnë zona më të sigurta dhe më të larta në rast rreziku nga përmbytjet.
Kjo situatë vjen vetëm disa javë pas stuhisë Alice, e cila shkaktoi dëme të konsiderueshme në Spanjë, duke shtuar shqetësimet për përballjen me fenomene gjithnjë e më ekstreme të motit.
Ndërkohë, kushte ekstreme atmosferike po regjistrohen edhe në pjesë të tjera të Evropës. Në Itali, vullkani Etna – më aktiv në kontinent – ka hyrë në një fazë të re shpërthyese që prej Ditës së Krishtlindjeve, sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë.


