Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Bayern Munich eliminon Real Madridin pas një spektakli 7-golësh në “Allianz Arena”

    “Do themi se e gjetëm në rrugë”/ Si e nxorën nga hoteli dhe e braktisën 19-vjeçaren shqiptare në Greqi tre të arrestuarit

    “Bashkëjetuesi i ri i nënës më rrihte dhe më nxirrte në rrugë”/ Rrëfimi tronditës i 12-vjeçares, detyrohej të lypte nën kërcënimin me armë

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Ekonomi

    “Rrjetet sociale ndikojnë shumë në blerjet impulsive dhe krahasimin e pasurisë”

    December 21, 2025

    Në një epokë kur rrjetet sociale po formësojnë perceptimet tona më shumë se realiteti vetë, pasuria, suksesi dhe stili i jetesës po shihen përmes një lenteje të filtruar. Rritja e përmbajtjeve që tregojnë luks dhe “jetë të përsosur” ka krijuar standarde të reja, shpeshherë të paarritshme, që ndikojnë te vetëvlerësimi dhe sjelljet financiare të njerëzve, sidomos të rinjve.

    Në këtë intervistë, Cansel Saygin, eksperte në marketing digjital dhe njëkohësisht, drejtuese e një agjencie marketingu, shpjegon se si algoritmet, influencerët dhe markat bashkëveprojnë për të normalizuar një konsum të ekzagjeruar, dhe si mund të ndërtojmë një marrëdhënie më të shëndetshme me botën online.

    Si kanë ndikuar rrjetet sociale në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë pasurinë, suksesin dhe stilin e jetesës?

    Rrjetet sociale kanë ndryshuar mënyrën se si perceptohet dhe matet suksesi. Konsumimi i përditshëm dhe i vazhdueshëm i përmbajtjes ka krijuar disa iluzione të reja.

    Së pari, është krijuar ideja se pasuria dhe suksesi arrihen shumë shpejt. Dikur suksesi matej me arritje të prekshme, zhvillim personal dhe vite pune, ndërsa sot shpesh lidhet me pamjen e jashtme të jetës. Në rrjetet sociale shohim makina luksoze, udhëtime, veshje “firmato” dhe momente komoditeti, por rrallë shohim historinë e vërtetë pas këtyre arritjeve.

    Kjo ka krijuar një realitet të ri ku “të dukesh i suksesshëm” shpesh vlerësohet më shumë sesa “të jesh realisht i suksesshëm”. Nga ana tjetër, për disa njerëz ajo që shohin online mund të kthehet në motivim për të punuar më fort dhe për të ndërtuar versionin e tyre të suksesit.

    Pse përmbajtjet që tregojnë luks, udhëtime dhe jetë “të përsosur” shfaqen kaq mirë në algoritmet e rrjeteve sociale?

    Performojnë mirë sepse ngjallin kureshtje. Njerëzit kanë dëshirë të shohin më shumë detaje nga ajo mënyrë jetese. Përveç kësaj, kjo lloj përmbajtjeje është vizualisht tërheqëse dhe mban vëmendjen më gjatë në ekran, një sinjal i fortë për algoritmin që duhet ta shpërndajë edhe më shpesh. Për një pjesë të audiencës, këto imazhe janë një dritare ëndrrash. Për të tjerët, frymëzim. Dhe algoritmet shpërblejnë çdo gjë që të mban të ngjitur pas telefonit.

    A krijojnë rrjetet sociale një standard artificial të jetës së pasur dhe si ndikon kjo te vetëvlerësimi i përdoruesve?

    Në rrjetet sociale shohim vetëm momentet më të mira të jetës së një individi, ose më saktë, atë pjesë të jetës që krijuesi i përmbajtjes zgjedh të ndajë. Rrallë shfaqen sfidat, stresi apo sakrificat që fshihen pas skenës. Në njëfarë mënyre, kjo është e kuptueshme pasi krijuesit duan të ndërtojnë një hapësirë pozitive dhe frymëzuese për audiencën e tyre.

    Problemi lind kur audienca e konsumon këtë lloj përmbajtjeje në mënyrë të vazhdueshme dhe nis të krahasojë veten me një standard jetese shumë më të lartë. Shumë njerëz fillojnë të ndihen sikur nuk po bëjnë mjaftueshëm, edhe kur po punojnë fort. Krijohet ndjesia e të qenët “pas”, vetëm sepse krahasohen me një realitet që është i kuruar, i filtruar dhe shpesh i largët nga e vërteta.

    A po vëreni rritje të fenomenit “dismorfia e parasë”, ku njerëzit ndihen të pasigurt financiarisht për shkak të krahasimit me përmbajtjet online?

    Po, sidomos te të rinjtë, kjo ndikon edhe më fort. Sot krahasimi nuk bëhet më me shokët e klasës apo me kolegët e punës, por me njerëz nga çdo cep i botës. Kur kjo ndodh çdo ditë, krijohet një perceptim i shtrembëruar, njerëzit fillojnë të mendojnë se janë financiarisht të dobët, edhe kur nuk janë.

    Ndiejnë nevojën të kenë gjëra materiale që nuk janë domosdoshmërisht të nevojshme. Shpesh ndihen të pasigurt ekonomikisht, jo për shkak të realitetit të tyre, por për shkak të realitetit që shohin online. Me kohë, ajo që shfaqet në rrjetet sociale fillon të perceptohet si “standardi” i jetesës, edhe pse është vetëm një version i filtruar i realitetit.

    Si ndikojnë influencerët dhe markat në normalizimin e konsumit të luksit te të rinjtë?

    Fenomeni i “influencers” ka bërë që markat t’i perceptojmë si pjesë të natyrshme të jetës së përditshme, shumë më afër nesh sesa para epokës së rrjeteve sociale. Sot, markat ndërtojnë identitet rreth idesë “kështu duhet të jetosh”, ndërsa influencerët e përkthejnë këtë stil jetese në kohë reale, duke e bërë edhe më bindës.

    Kur shohim dhjetëra njerëz që ndajnë çdo javë çanta apo produkte të një marke të caktuar, krijohet iluzioni se këto janë nevoja elementare, edhe pse në realitet nuk janë. Frekuenca dhe natyra vizuale e kësaj përmbajtjeje e normalizon luksin, duke e bërë të duket si standard i zakonshëm i jetës.

    Në ç’mënyrë i shtyjnë rrjetet sociale përdoruesit drejt shpenzimeve impulsive dhe vendimeve financiare të ndikuara nga imazhet online?

    Rrjetet sociale e kanë bërë procesin e blerjes pothuajse të menjëhershëm. Sheh një produkt, emocionohesh, klikon dhe brenda pak sekondash e ke blerë. Nuk ka më një fazë reflektimi apo arsyetimi. Imazhet e bukura dhe mënyra se si paraqiten produktet të shtyjnë të mendosh:

    “Po e kanë të gjithë, pse të mos e kem edhe unë?”. Shpërblimi psikologjik që vjen sapo përfundon blerja është i menjëhershëm dhe pikërisht për këtë arsye, shpenzimi online është rritur në mënyrë të ndjeshme. Një strategji e thjeshtë, por shumë efektive, është ta vendosësh produktin në “shportën” online dhe të mos e blesh menjëherë.

    Nëse i rikthehesh të nesërmen, ka shumë gjasa të kuptosh se nuk është as urgjente, as e domosdoshme. Kjo distancë e vogël në kohë shpesh mjafton për të ulur ndikimin e impulsit.

    Cilat janë strategjitë më efektive për t’u mbrojtur nga krahasimet joreale dhe për të ruajtur një marrëdhënie të shëndetshme me rrjetet sociale?

    Së pari, duhet të kontrollosh atë që shikon. Nëse dikush nuk të bën të ndihesh mirë me përmbajtjen që ndan, nuk ke asnjë detyrim ta ndjekësh. Më pas, është e rëndësishme të kujtosh se askush nuk e poston të gjithë realitetin, vetëm pjesën që zgjedh ta tregojë. Prandaj, fokusi duhet të qëndrojë te zhvillimi yt personal, jo te krahasimi me të tjerët.

    Një marrëdhënie më e shëndetshme me rrjetet sociale vjen edhe nga kufizimi i kohës online dhe nga edukimi financiar. Sa më shumë të kuptosh si funksionojnë reklamat, influencerët dhe psikologjia e konsumit, aq më pak gjasa ke të biesh pre e presioneve vizuale që shfaqen çdo ditë para teje./Monitor

    blerjet impulsive rrjetet sociale
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Bayern Munich eliminon Real Madridin pas një spektakli 7-golësh në “Allianz Arena”

    April 15, 2026

    “Do themi se e gjetëm në rrugë”/ Si e nxorën nga hoteli dhe e braktisën 19-vjeçaren shqiptare në Greqi tre të arrestuarit

    April 15, 2026

    “Bashkëjetuesi i ri i nënës më rrihte dhe më nxirrte në rrugë”/ Rrëfimi tronditës i 12-vjeçares, detyrohej të lypte nën kërcënimin me armë

    April 15, 2026

    “Marrëdhënia me Italinë nuk është më e njëjtë”, Trump sulmon sërish Melonin. Kryeministrja italiane: Aleanca euroatlantike nuk ndahet

    April 15, 2026
    Mos e humb
    Fokus April 5, 2026

    Evropa, Shqipëria dhe Berisha ‘në mes’

    Nga Flogert Muça Në diskursin politik shqiptar, sa herë që procesi i integrimit në Bashkimin…

    Rezerva strategjike e naftës, ose zahire për botën e re

    “Po pushton Tiranën”/ Pse Philipp Plein i adhuron shqiptarët? (VIDEO)

    Ish-shoqëruesi besnik i Fatos Nanos: Arben Ahmetaj, dy fjalë kam për ty

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Horoskopi për ditën e sotme, 15 Prill 2026

    Nga komunikimi te aventura dhe ndjeshmëria emocionale, 4 shenjat e horoskopit që “thyejnë rregullat” në intimitet

    Parashikimi i horoskopit 14 Prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.