Qeveria ka miratuar sot emërimin e zv/ministrit të ri të Mbrojtjes, Andrea Shllaku.
Shllaku vjen me një përvojë të gjerë në menaxhim financiar, projekte, logjistikë portuale, procedura doganore për import/eksport dhe administratë publike. Karriera e tij filloi si specialist në Departamentin e Këshillimit Financiar në Deloitte Shqipëri dhe Kosovë, ku u fokusua në analizimin e pasqyrave financiare dhe vlerësimin e biznesit.
Më pas, ka punuar si Koordinator i fondeve IPA dhe Specialist Marketingu në Ministrinë e Inovacionit, duke kontribuar në përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e transparencës.
Gjatë tre viteve të tjera, Shllaku ka shërbyer si Përgjegjës i Shërbimeve të Brendshme në Kryeministri, duke menaxhuar operacionet logjistike në nivel qeveritar. Më vonë, ai ka drejtuar Kabinetin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Divizionin Operacional në Autoritetin Portual Durrës, ku ka mbikëqyrur operacionet portuale dhe objektivat strategjike të zhvillimit.
Para këtij emërimi, Andrea Shllaku ka ushtruar rolin e Këshilltarit të Jashtëm për Infrastrukturat Portuale pranë Ministrisë së Mbrojtjes.


