U ndanë sot çmimet vjetore të gazetarisë për vitin 2025, duke vlerësuar punën e gazetarëve nga të gjitha trevat shqipfolëse – Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut – në disa zhanre kyçe, nga ekonomia dhe sporti, te raportimi më i mirë, çmimet e karrierës dhe çmimi special.
Ceremonia u zhvillua në ambientet e Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, në prani të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ambasadorit gjerman Karl Bergner, si dhe personaliteteve të njohura të gazetarisë shqiptare.
Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment kyç të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian, duke nënvizuar rolin thelbësor të gazetarisë në këtë proces. Ai vuri theksin te nevoja për transparencë dhe informim të vazhdueshëm të publikut, duke bërë të ditur se Kuvendi po punon për ngritjen e një qendre mediatike që do të garantojë akses në kohë reale për gazetarët.
Deputetja Jorida Tabaku u shpreh se gazetaria cilësore po përballet me vështirësi të mëdha, ndërsa njoftoi se Komisioni i Medias ka nisur iniciativa ligjore për përmirësimin e mjedisit mediatik dhe forcimin e mbrojtjes së gazetarëve, përfshirë ndryshime në Kodin Penal dhe dekriminalizimin e shpifjes.
Nga ana e tij, ambasadori Karl Bergner deklaroi se Gjermania mbështet fuqishëm nisma të tilla jo vetëm në kuadër të integrimit evropian, por edhe përmes partnerëve si GIZ, duke nxitur zhvillimin profesional dhe qëndrueshmërinë e mediave në rajon. Ai theksoi se pa gazetari të lirë dhe profesionale, një Shqipëri përparuese do të ishte e pamundur.
Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, u shpreh se UGSH është organizata më përfaqësuese e komunitetit gazetaresk shqiptar, me një kontribut gati dydekadësh në mbrojtjen e standardeve profesionale dhe vlerësimin e gazetarëve cilësorë.
Një moment i veçantë emocional ishte ndarja e çmimit “Gazetari sportiv i vitit” për gazetarin e ndjerë Saimir Demi, i cili u tërhoq nga familjarët e tij. Demi u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Po ashtu, çmimi “Karriera II”, i akorduar për gazetarin, analistin dhe ish-drejtorin e përgjithshëm të ATSH-së, Artur Zheji, u tërhoq nga bashkëshortja e tij. Zheji u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare, në muajin gusht, në Sarandë.
Fituesit e çmimeve të gazetarisë 2025
Konkursi “Vangjush Gambeta” – Gazetaria ekonomike:
Eliza Gjediku
Ilda Hoxha
Uran Haxha
Anëmsha Shabani
Çmime të tjera:
Raportimi më i mirë i vitit – Florian Goga
Reporteri më i mirë i vitit – Eraldo Harlicaj
Çmimi special – Besim Dybeli
Gazetari sportiv i vitit – Saimir Demi
Karriera I – Nazim Rashidi
Karriera II – Artur Zheji









