Forcat e Policisë kanë vendosur një kordon sigurie para selisë së Kryeministrisë, në kuadër të masave për protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike, çka ka sjellë tensione dhe përplasje me protestuesit e Nismës “Shqipëria Bëhet”, të drejtuar nga Adriatik Lapaj.
Shkak për përplasjet është bërë kërkesa e policisë që protestuesit të spostohen nga trotuari në rrugë, pas vendosjes së perimetrit të sigurisë. Protestuesit kanë kundërshtuar këtë vendim, duke pretenduar se ndodhen jashtë gardhit të sigurisë dhe se po ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë pa pengesa.
Gjatë tensioneve, disa prej tyre janë përplasur me kordonin e policisë dhe kanë tentuar të thyejnë gardhin metalik të vendosur përreth zonës së sigurisë.
Ndërkohë, në orën 18:00 pritet të nisë edhe protesta e përjavshme e Partisë Demokratike para Kryeministrisë. Policia e Tiranës njofton se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke paralajmëruar gjithashtu kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore.
Partia Demokratike ka bërë të ditur se nga data 22 dhjetor do të nisë protestën e parë kombëtare, e cila sipas saj do të vijojë deri në krijimin e një qeverie teknike.


