Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u kthye në objekt debatesh gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, ku në fokus ndër të tjera ishte dështimi i opozitës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Në përpjekje për të shfajësuar veten, Noka deklaroi se kishte firmosur vetëm për dy kandidatura, Besim Ndregjonin dhe Adriana Kalanë. Por dokumentacioni tregon një realitet tjetër. Emri i tij rezulton i vendosur në listën e firmëtarëve për të paktën gjashtë kandidatë.
Përveç dy emrave të përmendur publikisht, Flamur Noka ka firmosur edhe për Jola Hysajn, Skënder Halucin, Aranita Brahajn dhe Samir Vishajn, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi transparencën dhe seriozitetin e procesit brenda PD-së.
Ky zhvillim ka nxjerrë në pah konfuzionin dhe mungesën e koordinimit në radhët e opozitës, ku justifikimet pas dështimit po shihen si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike. Një proces që kërkonte dialog dhe pjekuri institucionale, përfundoi në akuza të ndërsjella. Edhe pse disa prej deputetëve kërkuan falje për firmat e dhëna, ka të tjerē eksponentë brenda partisë që gjykojnë se vendimi ishte i nxituar dhe i paqartë, duke kërkuar madje edhe dorëheqjen e Flamur Nokës nga postet drejtuese.


