Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Fiona Nishani, vajza e ish-presidentit Bujar Nishani, mbajti një fjalim ku theksoi se demokracia nuk është dhuratë, por detyrë.
Ajo kujtoi momentet e guximshme të studentëve, intelektualëve dhe punëtorëve të Shqipërisë që më 11 dhjetor 1990 sfiduan frikën dhe izolimin, duke hapur rrugën drejt demokracisë. Fiona Nishani nënvizoi se liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në NATO kanë qenë arritje historike që hapën dyert e mundësive, universiteteve dhe njohjeve të reja për brezin e ri.

“Ne jemi brezi që ka fluturuar drejt Europës pa viza, një ëndërr që u bë realitet falë qeverisjes së PD-së. Anëtarësimi në NATO ishte garancia se e ardhmja jonë do të ishte më e sigurt se e kaluara e hidhur”, tha ajo.
Fiona Nishani u bëri thirrje të rinjve të angazhohen, të mos dorëzohen dhe të mos pranojnë padrejtësinë si normalitet, duke theksuar se energjia dhe idetë e tyre janë më të rëndësishme se kurrë për Partinë Demokratike.
“Demokracia nuk është dhuratë, por detyrë. Shpresa nuk duhet humbur kurrë, sepse ajo lindi pikërisht në momentet më të vështira”, përfundoi ajo, duke uruar 35-vjetorin e PD-së.


