TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka denoncuar publikisht përmes një reagimi në rrjetet sociale atë që ai e konsideron si një rast flagrant të manipulimit publik dhe shkeljes së ligjit në zonat historike.
Teksa ka publikuar dy foto në rrjetin social Facebook, shefi i qeverisë tregon një protestuese, e cila sipas tij është njëkohësisht ndërtuese e një shtese pa leje brenda mureve të Kalasë së Durrësit dhe një prej zërave që bën thirrje për protesta nga diaspora.
“DY FOTOGRAFI DHE DY FYTYRAT E NJË SIMBOLI TË THIRRJES PËR DIASPORËN NË PROTESTË
Majtas: Një shtesë skandaloze pa leje brenda mureve të kalasë së Durrësit. Shteti do ta shpronësojë në kuadrin e pastrimeve për Rilindjen e Zonës Historike, sipas projektit të miratuar.
Djathtas: Një protestuese e përbetuar për mbrojtjen e mjedisit që bërtet, “Diaspora këtë vit nuk do të vijë për pushime, por për protestë”. Ajo është vetë ndërtuesja e shtesës pa leje, e cila ka deklaruar përpara meje se do hidhet me kokë nga tarraca, po nuk e pranon fondin e shpronësimit të atij çibani ngaqë i duket pak!
Pikërisht kështu funksionon algoritmi i manipulimit në rrjetet sociale:
Një shkelëse e ligjit, qëndrestare kundër pastrimit të trashëgimisë kulturore nga çibanët e ndërtuar pa leje vishet me flamurin e interesit publik, ve kujën për atdheun në rrezik dhe kthehet në heroinë.
Fakti pastaj që ky personazh grotesk është edhe militante e vajmedet Partisë Demokratike, e fut rastin në një kornizë shembullore të dashurisë për natyrën.
*Çibani ka një hipotekë nga koha e dy gishtave”, ka shkruar Rama./Radar.al


