Gjykata e Apelit në Quebec ka konfirmuar vendimin për të mos ekstraduar në Shqipëri shtetasin shqiptar Ëngjëll Brahimi, i cili ishte dënuar në mungesë për vrasjen e një oficeri të lartë policie dhe të djalit të tij 8-vjeçar, një ngjarje e ndodhur 25 vite më parë.
Sipas vendimit të shpallur të premten në Montreal, gjykatësi i shkallës së parë kishte gjykuar me të drejtë se provat e paraqitura nga autoritetet shqiptare nuk ishin të mjaftueshme dhe të besueshme për të justifikuar ekstradimin.
Brahimi, i cili ishte arratisur fillimisht në Greqi dhe më pas ishte vendosur në Kanada ku kishte marrë edhe shtetësinë, akuzohej se kishte kryer sulmin si hakmarrje për vrasjen e vëllait. Sipas dosjes shqiptare, ai dyshohej se kishte qëlluar me armë automatike ndaj policit dhe familjes së tij gjatë rrugës për në plazh, duke shkaktuar vdekjen e fëmijës dhe më pas ekzekutimin e policit pranë një lumi.
Megjithatë, mbrojtja e tij arriti të bindë gjykatën kanadeze se procesi gjyqësor në Shqipëri kishte pasur mangësi serioze. Një element kyç ishte identifikimi i gabuar nga bashkëshortja e viktimës, e cila sipas dokumenteve gjyqësore kishte zgjedhur fotografinë e gabuar të të dyshuarit.
Gjykata e Apelit vlerësoi se provat ishin të pasigurta dhe se ekzistonte një rrezik real i një gabimi gjyqësor nëse ekstradimi do të miratohej. Edhe fakti që Brahimi ishte arratisur nuk u konsiderua provë e fajësisë së tij, pasi mund të interpretohej gjithashtu si përpjekje për të shmangur një akuzë të padrejtë.
Vendimi i ri i gjykatës i jep fund përpjekjeve të autoriteteve shqiptare dhe të Prokurorit të Përgjithshëm të Kanadasë për ta rikthyer çështjen në gjykim.


