Një nga miqtë më të afërt të Shpat Kasapit, Meti Myrtezani, ka ndarë me dhimbje momentet e fundit që ka kaluar me këngëtarin pak orë para ndarjes së tij të papritur nga jeta. Në një lidhje live në emisionin “Breaking” në Top News, ai tregoi se e kishte shoqëruar Shpatin në aeroport, ndërsa këngëtari udhëtonte drejt Italisë për të takuar djalin e tij.
Meti tha se gjatë rrugës drejt aeroportit kanë biseduar normalisht për çështje familjare dhe se Shpati nuk kishte shfaqur asnjë problem shëndetësor shqetësues. Sipas tij, komunikimi i fundit ka qenë rreth orës 20:00 të ditës së djeshme.
“Kur e mora nga shtëpia, më tha se po shkonte për djalin. Vetë nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor. Më vonë më tha: ‘Vëllai jem, jam me grip, jam ftohur. Sapo mbarova punë me djalin’. Folëm normalisht. Pastaj, nga ora 22:00 e kam telefonuar se ma ndjeu zemra, por nuk m’u përgjigj,” rrëfeu Meti.
Ai shtoi se lajmin tragjik e ka marrë rreth orës 01:00 të mëngjesit nga kunati i Shpatit. “Kur më mori kunati, nuk po e besoja. Jam nisur menjëherë për në Itali. Edhe kur Shpati firmosi për të hyrë në Big Brother ishim bashkë. Kudo ka qenë një vëlla për mua,” tha ai me zë të dridhur.
Meti tregoi edhe momentet e vështira pas marrjes së lajmit, kur i është dashur të njoftojë familjen e këngëtarit. “Në mëngjes kam shkuar te mamaja e tij… Por nuk dija si t’ia thosha. Nuk e përballoja dot ngarkesën. I tregova motrës së tij dhe më pas nuk munda të qëndroja më,” u shpreh ai duke e quajtur një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij.


