Ndalimet e shtetasve shqiptarë në kufirin greko-shqiptar kanë marrë një dimension të ri pas shpalljes “non grata” të gazetarëve Marin Mema dhe Artan Hoxha. Në reagim ndaj këtyre zhvillimeve, deputeti socialist Ardit Bido i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Jashtme të Greqisë dhe Ambasadës greke në Tiranë, duke kërkuar publikimin e listës së personave të ndaluar të hyjnë në territorin grek dhe arsyet ligjore që justifikojnë këto masa.
Sipas Bidos, prej vitesh qytetarët shqiptarë përballen me pasiguri për shkak të mungesës së informacionit për vendimet e ndalimit të hyrjes në Greqi, duke qenë se shumë prej tyre lëvizin rregullisht për punë, vizita familjare apo arsye të tjera të ligjshme. Ai thekson se transparenca është e domosdoshme për të shmangur keqkuptimet dhe për të forcuar besimin ndërmjet institucioneve të të dy vendeve.
Në letrën zyrtare, Bido kërkon:
1. Publikimin e listës së personave shqiptarë ndaj të cilëve është vendosur masa e ndalimit të hyrjes, së bashku me arsyet ligjore;
ose, nëse një publikim i tillë nuk lejohet,
2. Dhënien e numrit total të rasteve, kategorive ligjore dhe procedurave që ndiqen për vendosjen e këtyre masave.
Deputeti shprehet se një përgjigje zyrtare do të ndihmojë qytetarët dhe do të kontribuojë në shtimin e transparencës mes dy shteteve fqinje.


