Një super-kartel që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Italisë dhe Europës është goditur nga Guardia di Finanza, me 28 të arrestuar — 25 në burg dhe 3 në arrest shtëpiak. Organizata kriminale operonte nga Lombardia dhe shtrihej në Gjermani, Holandë, Spanjë, Britaninë e Madhe, Kolumbi dhe Brazil.
Hetimet, të mbështetura nga pajisje të mesazheve të koduara, zbuluan lidhjet e drejtpërdrejta të rrjetit me ndërmjetës dhe furnizues shqiptarë të kokainës në Amerikën e Jugut. Droga, me vlerë mbi 27 milionë euro, hynte në Shqipëri dhe Europë përmes porteve të Livornos, Roterdamit, Gioia Tauro dhe Le Havre, e fshehur në kontejnerë me mallra të ligjshme përmes teknikës së njohur si “grabitje”.
Rrjeti ishte i strukturuar si një aleancë e grupeve mafioze italiane: degë të “Ndraghetës” së Lokridës, klanit Barbaro dhe elementë të “Kamorrës” napolitane. Në skemë ishte përfshirë edhe një shtetas kinez, i cili përmes sistemit të transfertave informale “Fei Ch’ien” mundësonte pagesat për ngarkesat e drogës.
Operacionet e kërkimit u zhvilluan në provincat Milano, Pavia, Bergamo, Como, Parma, Imperia, Romë, Taranto dhe Reggio Calabria, me përdorimin e njësive antidrogë dhe qenve të specializuar të Guardia di Finanza.
Falë bashkëpunimit me Eurojust dhe Europol, hetuesit arritën të rikonstruktojnë të gjithë strukturën e sindikatës kriminale dhe trafikun e saj: mbi 3.5 tonë kokainë të importuar, nga të cilat më shumë se 400 kg u sekuestruan gjatë operacioneve në Itali dhe jashtë vendit.
Në qendër të organizatës qëndronte “familja Barbaro” e Plati, e cila kishte kontakte të drejtpërdrejta me ndërmjetës të njohur shqiptarë në rrugën e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.


