Policia e Shtetit njofton se, në një operacion të koordinuar ndërkombëtar, është ekstraduar drejt Italisë shtetasi shqiptar Kamer Duhanxhiu, 44 vjeç, i cili ishte në kërkim që nga viti 1999.
Duhanxhiu është dënuar nga autoritetet italiane me 30 vjet burg për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Vrasja në rrethana cilësuese”, ngjarje të ndodhura në Asti, Itali, në vitin 1999.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim mes Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale Italiane dhe Agjencisë për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare (ICE) në SHBA.
Duhanxhiu ishte arrestuar më parë këtë vit në Florida, SHBA, dhe më 19 nëntor 2025 u deportua me fluturim çarter në Tiranë. Sapo mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza”, ai u arrestua menjëherë për t’u ekstraduar drejt Italisë, bazuar në urdhërin e arrestit ndërkombëtar të Interpolit.
Policia e Shtetit vlerëson këtë operacion si një tjetër sukses në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar ligjzbatuese dhe konfirmon angazhimin e saj për luftën kundër krimit ndërkombëtar.


