Gjermania duhet të forcojë me urgjencë aftësitë e saj mbrojtëse ndaj kërcënimeve konvencionale dhe hibride, deklaroi gjenerali i NATO-s, Ingo Gerhartz, gjatë hapjes së një konference dyditore në Berlin, e cila fokusohet në forcimin e sigurisë evropiane. Ai tha se agresioni rus dhe rritja e sulmeve të nivelit të ulët në kontinent po e detyrojnë Gjermaninë të rimendojë mënyrën si e ndërton dhe e zbaton strategjinë e frenimit. Sipas tij, frenimi sot nuk ka të bëjë vetëm me forcat ushtarake tradicionale, por me një gamë të gjerë mjetesh që duhet të funksionojnë në mënyrë të sinkronizuar.
Gerhartz nënvizoi se Berlini ka nevojë për reforma të shpejta në prokurimin ushtarak, për zbatim të menjëhershëm të ligjit të ri mbi shërbimin ushtarak dhe për forcimin e gatishmërisë mbrojtëse në të gjithë shoqërinë. Ai theksoi se Rusia është e vetëdijshme për ngadalësinë e procesit të prokurimit gjerman dhe vështirësitë e industrisë për të rritur prodhimin e armëve, gjë që sipas tij tregon se vendi ende nuk ka arritur pjekurinë strategjike që kërkon situata aktuale.
Gjenerali u ndal edhe te sfida e “zonës gri”, ku veprojnë sulmet hibride, të cilat shpesh nuk e tejkalojnë pragun për të aktivizuar Nenit 5 të NATO-s. Ai tha se aleatët duhet të rishikojnë mënyrën si e kuptojnë dhe e zbatojnë frenimin në këtë realitet të ri ku kërcënimet shpesh janë të padukshme, të shpërndara dhe të pajisura me mjete moderne teknologjike.
Në konferencën e Berlinit morën pjesë politikanë të lartë, drejtues ushtarakë dhe ekspertë të sigurisë nga e gjithë Evropa, mes tyre ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, dhe homologu i tij suedez, Pal Jonson. Gjatë fjalës së tij, Pistorius paralajmëroi se Rusia po zhvillon tashmë sulme hibride të qëllimshme, duke përdorur kibernetikën, spiunazhin, sabotimin dhe fushatat e dezinformimit për të testuar qëndrueshmërinë e Evropës. Ai tha se Deti Baltik po shndërrohet nga një zonë bashkëpunimi në një hapësirë të re tensionesh, ku fluturimet me dronë, shkeljet e hapësirës ajrore dhe dëmtimet e kabllove nënujore tregojnë qartë ambiciet testuese të Moskës.


