Banorët e disa fshatrave në Malësinë e Madhe po përballen me një situatë të rënduar për shkak të shtimit të çakejve, të cilët vitet e fundit janë afruar deri në hyrje të qytetit të Koplikut. Sulmet janë intensifikuar veçanërisht në fshatin Kosan, ku vetëm në 10 ditët e fundit janë raportuar dhjetëra raste të dëmtimit të bagëtive të imta, qenve dhe shpendëve, ndërsa çakejt janë parë edhe brenda oborreve të banesave.
Kolëc Kolaj, një prej banorëve të zonës, tregon se ka gjetur madje një tufë çakejsh brenda në shtëpinë e tij, duke e cilësuar situatën “të frikshme dhe të paprecedentë”. Sipas banorëve, grabitqarët lëvizin në kope dhe sulmojnë gjithçka që u del përpara, duke rritur rrezikun edhe për bizneset e turizmit, pasi prania e tyre ka trembur vizitorët.
Institucionet në varësi të Ministrisë së Bujqësisë e pranojnë problemin, por theksojnë se vrasja e çakejve është e ndaluar me ligj. Aktualisht po shqyrtohen alternativa të tjera për menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e banorëve.


