Një aksident i rëndë detar është regjistruar mbrëmjen e sotme në Gjirin e Ksamilit, ku sipas informacioneve paraprake një mjet lundrues (Jet Car) është përplasur me skafin e Policisë Kufitare të Sarandës.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se si pasojë e përplasjes një person ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë mund të kenë mbetur të plagosur. Viktima është Albiano Kreçi, rreth vjeç, banor i Ksamilit. Pas aksidentit, mjeti lundrues (Jet Car) u fundos.
Forca të shumta policie dhe shërbimet e emergjencës janë angazhuar në zonë. Mësohet se deri tani ambulancat kanë transportuar të paktën dy persona drejt Urgjencës së Spitalit të Sarandës. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre (Albiano Kreçi) dyshohet se ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Ksamil, Sarandë/Informacion paraprak-Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.


