Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Shabana Mahmood, pritet të prezantojë të hënën në Parlament paketën e re të masave që synojnë ashpërsimin e politikave të azilit në vend.
Në dokumentin që qeveria laburiste ka përgatitur, parashikohet heqja e ndihmës për azilkërkuesit — si akomodimi dhe mbështetja financiare — ndërsa periudha e statusit të refugjatit reduktohet ndjeshëm nga pesë vjet në vetëm 30 muaj. Sipas planit, personat që vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta do të detyrohen të kthehen në vendin e origjinës sapo kjo të jetë e mundur.
Këto ndryshime, që vijnë mes presionit të rritjes së numrit të emigrantëve që kalojnë Kanalin Anglez, kanë shkaktuar debate brenda vetë Partisë Laburiste, sidomos te krahu i majtë. Megjithatë, Ministria e Brendshme i cilëson ato si reformën më të madhe të dekadave të fundit në fushën e azilit.
Mahmood argumentoi se modeli i deritanishëm, që shpesh çon në vendosje të përhershme, duhet ndryshuar. “Qëllimi ynë është që mbrojtja të jetë e përkohshme. Çdo dy vjet e gjysmë, statusi do të rishikohet. Nëse vendi i origjinës është bërë i sigurt, personat që gëzojnë këtë mbrojtje do të kthehen”, u shpreh ajo.
Ministrja ka marrë si shembull politikën e Danimarkës, e cila vite më parë shtrëngoi kriteret për migrantët dhe vijon t’i aplikojë ato edhe sot. Ajo planifikon të heqë edhe detyrimin ligjor të shtetit për të ofruar strehim dhe ndihmë financiare për azilkërkuesit që janë të aftë të punojnë, por zgjedhin të mos vetëmbahen. Masa të ngjashme do të aplikohen edhe për personat që shkelin ligjin.
Një tjetër rregull i ri parashikon se ata që hyjnë ilegalisht në Britani do të mund të marrin leje të përhershme qëndrimi vetëm pas të paktën 20 vjetësh, dhe vetëm nëse plotësojnë kriteret si pastërtia e rekordeve penale. Më parë, kjo ishte e mundur pas pesë vjetësh.
Statusi i refugjatit gjithashtu nuk do të jetë më automatikisht afatgjatë: ai do të jetë i përkohshëm dhe i rishikueshëm, dhe çdo person do të rikthehet në vendin e tij sapo ai të vlerësohet i sigurt.
E gjitha kjo, sipas Mahmood, synon të reduktojë numrin e atyre që nisen drejt Britanisë me mjete të rrezikshme. “Mesazhi ynë është i qartë: mos udhëtoni ilegalisht, mos hipni në anije”, tha ajo për “Sunday Times”.
Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i vitit deri tani, gati 40 mijë persona kanë mbërritur në Britani me gomone dhe mjete të vogla lundruese.


