Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklarimit të SPAK se fletëthirrja për ish-kryeministrin Sali Berisha, në lidhje me çështjen “21 Janari”, është dërguar në tre destinacione: selinë e PD-së, Kuvend dhe banesën e tij.
Bardhi mohoi kategorikisht që ndonjë njoftim të ketë mbërritur në adresë të grupit parlamentar të PD-së në Kuvend.
Sipas tij, “Rezulton e provuar që në kutitë postare të asnjë deputeti të grupit tonë, brenda ambienteve të Kuvendit, nuk ka asnjë njoftim të depozituar nga SPAK.”
Bardhi akuzoi SPAK-un për “referim të një gënjeshtre të shpërndarë nga Kuvendi”, duke theksuar se Prokuroria e Posaçme është vetë në dijeni se nuk ka dërguar ndonjë njoftim në adresë të grupit parlamentar.
Ai shtoi se stafi politik i grupit parlamentar nuk ka asnjë rol në ofrimin apo administrimin e shërbimeve postare, duke ia kaluar përgjegjësinë administratës së Kuvendit.
Në reagimin e tij, Bardhi theksoi se keqinformimi publik “për interesa politike” dhe “keqpërdorimi i SPAK” është pjesë e një skenari propagandistik të mazhorancës socialiste.
Debati mes SPAK, Kuvendit dhe opozitës sa vjen e ashpërsohet, ndërsa çështja “21 Janari” mbetet hapur për hetime të mëtejshme.


