Kryeministri Edi Rama udhëton sot drejt Romës për të marrë pjesë në takimin e parë ndërqeveritar mes Shqipërisë dhe Italisë (G2G – Government to Government), një ngjarje historike që synon të forcojë partneritetin strategjik midis dy vendeve përmes projekteve të përbashkëta në fusha kyçe si ekonomia, energjia, mbrojtja dhe infrastruktura.
Të enjten, Rama do të zhvillojë një takim zyrtar me Kryeministren italiane Giorgia Meloni, pas së cilës do të mbahet seanca plenare e mbledhjes ndërqeveritare me pjesëmarrjen e ministrave të të dy qeverive.
Në axhendë parashikohet nënshkrimi i disa marrëveshjeve dypalëshe dhe memorandumeve të mirëkuptimit, që pritet të hapin një kapitull të ri bashkëpunimi institucional dhe ekonomik mes Tiranës dhe Romës.
Samiti, që do të zhvillohet në orën 11:30 të datës 13 nëntor, vjen pas Deklaratës së Partneritetit Strategjik të firmosur në vitin 2010, duke e ngritur bashkëpunimin mes dy vendeve në nivel të plotë qeveritar.


