Forcat speciale të inteligjencës ushtarake të Ukrainës (HUR) kanë goditur një tubacion të rëndësishëm karburanti në rajonin e Moskës, i cili furnizonte ushtrinë ruse me naftë, benzinë dhe karburant avionësh, raportoi sot agjencia Associated Press.
Sipas HUR, operacioni është cilësuar si një “goditje serioze ndaj logjistikës ushtarake të Rusisë”, duke dëmtuar rëndë rrjetin e furnizimit që mbështet forcat e armatosura ruse në front.
Objektivi ishte tubacioni “Koltsevoy”, një sistem prej rreth 400 kilometrash që transporton karburant nga rafineritë e Riazanit, Nizhni Novgorodit dhe Moskës drejt bazave ushtarake. Sulmi ndodhi në rajonin Ramensky, ku — sipas burimeve ukrainase — u shkatërruan të tre linjat e tubacionit.
Ky sistem kishte kapacitetin të transportonte deri në 3 milionë ton karburant avioni, 2.8 milionë ton naftë dhe 1.6 milionë ton benzinë në vit, duke e bërë atë një element kyç në makinerinë logjistike të Kremlinit.
“Goditjet tona kanë pasur më shumë ndikim sesa sanksionet,” deklaroi kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase, Kirilo Budanov, duke iu referuar sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë që nga fillimi i agresionit në shkurt 2022.
Ndërkohë, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje dhe kufizime të energjisë në disa rajone. Kievi i ka cilësuar këto sulme si një formë të “terrorizmit sistematik energjetik”.
Sipas forcave ajrore të Ukrainës, gjatë natës Rusia lëshoi 223 dronë, prej të cilëve 206 u rrëzuan, ndërsa 17 dronë arritën të godasin objektiva në shtatë rajone të ndryshme të vendit.


