Policia e Shtetit ka goditur një skemë mashtrimi kibernetik që operonte përmes një faqeje interneti të falsifikuar në emër të Postës Shqiptare.
Operacioni policor, i koduar “Posta e Rreme”, u zhvillua nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Si rezultat, u vunë në pranga dy shtetas kinezë, C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç, të cilët kishin hyrë në territorin shqiptar më 27 tetor 2025.
Sipas hetimeve, ata kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, përmes së cilës mashtronin qytetarët, duke përfituar të dhëna personale dhe bankare.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet ku qëndronin, policia sekuestroi si prova materiale:
17 telefona celularë
1 laptop
12 pasaporta
11 karta bankare
7 karta identiteti
1 patentë
si dhe shuma parash në valuta të ndryshme.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Hetimet vijojnë për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm brenda apo jashtë vendit.
Apeli i Policisë së Shtetit
Policia u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj faqeve apo mesazheve që kërkojnë të dhëna personale ose bankare.
Rekomandohet që qytetarët:
të mos klikojnë në linke të dyshimta,
të mos japin fjalëkalime apo numra kartash,
të verifikojnë adresat zyrtare të faqeve përpara çdo veprimi online,
dhe në rast dyshimi, të raportojnë menjëherë pranë Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.


